Materiale degustimi

Gota e degustatorit duhet të ketë karakteristikat e mëposhtme:
– Prej kristali të hollë.
– Transparente dhe jo me ngjyrë.
– Me mure lisho. Pa lule dhe pa gdhëndje.
– E ngushtë sipër për të përqëndruar aromat.
– Duhet të mbushet jo më shumë sesa 1/3 e kapacitet që ka.

Temperatura e verës
Midis 10ºC dhe 20ºC, në varësi të llojit të verës.

Ambienti i degustimit (përveç buzëqeshjes)
– Lagështia e sallës: Rreth 60 % pasi aromat perceptohen më pak në ambiente të thata.
– Ndriçimi: Salla duhet të jetë e bardhë dhe me sa më shumë dritë për të vlerësuar sa më mirë që të jetë e mundur ngjyrat.
– Ventilimi: Duhet të jetë një vend që ajroset lehtësisht. Salla ndërkohë duhet të ketë ventilim natyral për të eleminuar aromat e degustimeve të mëparshme ose aroma të tjera që nuk kanë lidhje me verën që po degustohet. Rekomandohet që degustatori të mos ketë vendosur/hedhur parfum ose kolonjë, në mënyrë që vëmendja e tij të përqëndrohet më mirë tek aromat e verës.
Salla duhet të jetë e pajisur me enë ku mund të nxirren gllënjkat e verës që degustohet, pasi ideja e degustimit nuk është që vera të pihet, pra nuk kapërdihet. (Ky quhet shpërdorim!)
Duhet të jetë një vend ku degustatori të ndihet rehat. (mos ti punojë telefoni)

Degustatori:
– Degustatori duhet të jetë në formë të mirë fizike. Për shembull nuk duhet të jetë i ftohur ose me grip, pasi nuk do të mund të vlerësojë karakteristikat e verës.
– Ekzistojnë mendime te ndryshme nëse degustatori duhet të jetë i uritur ose i ngopur. Më e llogjikshmja është që të jetë në një gjëndje të mesme.
– Degustatori duhet të jetë i aftë për këtë punë, duhet të ketë vëmendje, përqëndrim, gjëndjen e duhur shpirtërore, dhe siç u tha më sipër të jetë në gjendje të mirë fizike.
– Degustatori duhet të ketë një emër për secilën ndjesi, prandaj është shumë e rëndësishme që të përpiqet të memorizojë ndjesitë që i shkaktojnë shqisat e tij. Kjo arrihet me praktikë dhe është shumë e thjeshtë për tu ushtruar, pasi thjesht bëhet fjalë të mundohesh të memorizosh ndjesitë e ndryshme që percepton dhe t’u vendosesh atyre emra.